Rama lajmëron doganierët: Ata me bluxhins ikin brenda 100 ditëve
Kryeministri me sipërmarrësit: Ristrukturim inspektorateve, janë banda "Javën tjetër, platforma ' online' e bashkëqeverisjes"
Kryeministri Edi Rama ishte i ashpër dje ndaj doganierëve dhe punonjësve të administratës. Në një takim me tatimpaguesit e mëdhenj, shoqëruar edhe nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato, Rama u kërkoi atyre bashkëpunim për të identifikuar "grabitqarët dhe parazitët që janë akoma në administratën shtetërore". "Besoj se jeni edhe të parët që duhet të jeni të gatshëm, që këta grabitqarë e këta parazitë, ne t'i luftojmë së bashku. Është e mundur që këta qeveria t'i luftojë edhe pa ju, por do të kërkojë shumë kohë dhe do të ketë akoma shumë plagë në trupin tuaj. Ata do të vazhdojnë të shqyejnë, të çjerrin dhe të dëmtojnë, në rast se ju do t'ua jepni këtë mundësi. Ajo që unë do të doja të thosha shumë sinqerisht është që ju të na vini në provë drejtpërdrejtë, ta vini në provë këtë urë të re komunikimi mes jush dhe qeverisë, që është ministrja e Shtetit dhe zyra e saj për Mbrojtjen e Sipërmarrjes", u kërkoi Rama sipërmarrësve. "Nuk është as patriotike, as etike që në vend se ju thjesht të ngrini telefonin dhe t'i kërkoni drejtpërdrejtë ministres së Shtetit që të marrë masa për llogarinë tuaj ndaj kujtdo që ju cenon qetësinë, të zgjidhni rrugën që të merrni nga ata të tatimeve që ua rregullojnë bilancet e histori të tilla të pafund, që thjesht janë kosto dhe energji të shpenzuara", u tha Rama sipërmarrësve. Ai u kërkoi që ta vënë qeverinë në provë përmes Ministrisë së Shtetit. "Të jeni të sigurt që qëllimi për ta bërë qeverinë përmes ministres së Shtetit për Mbrojtën e Sipërmarrjes, mikun më të madh të secilit prej jush është një qëllim i vërtetë, aspak propagandistik dhe i lidhur me qëllimin tonë më të madh, të rrisim më shpejt ekonominë, t'i japim shumë më tepër nxitje sipërmarrjes dhe të krijojmë kushte që për shumë më tepër arsye, secili dhe secila prej jush të bëhet palë në luftën kundër informalitetit", tha më tej Rama. "Përfundimisht, asnjë zyrtar apo zyrtaruc i këtij shteti të mos guxojë të ngacmojë askënd prej jush dhe të mos guxojë të shfaqet në derën e askujt prej jush me hijen e njeriut që të merr peng për të marrë një ryshfet dhe nga ana tjetër, për të krijuar më shumë soliditet dhe për të mos e kemi më sikletin se po ngacmojmë ndonjë komshi. Me ata zhabulanë atje, që me demek ndërmjetësojnë proceset ndërmjet sipërmarrësve edhe shtetit, një tufë sekserësh të zyrtarizuar që shëmtojnë pamjen, lëre më pastaj të tjerat në Portin e Durrësit, sidomos atje", tha dje Rama. Sipas tij, "inspektoratet kanë marrë urdhër të prerë, deri në ristrukturim nuk do të vendosin më asnjë gjobë. Inspektorët të rrinë nëpër shtëpi dhe të lënë rehat njerëzit të marrin frymë. Do të bëjmë ristrukturim radikal të inspektorateve, që e vërteta është se janë banda që lëshohen në emër të mjedisit, në emër të mbrojtjes të peshqve, në emër të mbrojtjes së ajrit, të mbrojtjes së ujërave, të mbrojtjes së kullotave dhe marrin vetëm lekë. Brenda javës së ardhshme do publikojmë edhe platformën ' online' të bashkëqeverisjes, e cila do këtë një rubrikë të veçantë, një dritare të veçantë për çdo biznes, të madh, të mesëm, të vogël, që të ketë linjë direkt me këtë godinë në kohë reale për çdo lloj cenimi, apo për çdo lloj sjelljeje të padenjë të kujtdo që i shkon në derë, qoftë edhe një bukëshitës në fshat", njoftoi Rama.