Gazeta Shqiptare

"Nënën dhe babain i vrava, pasi nuk më dhanë para për të shkuar në Itali"

"Prindërit s'më kanë ndihmuar, gruan e vajzën i çoj të vjehrri se jam i papunë" Leo Nika: Gjithë natën s'më zuri gjumi, më iku truri fare

-

Nënën dhe babain i vrava, pasi nuk më dhanë para për të shkuar në Itali. Gjithë natën nuk më zuri gjumi, në mëngjes, kur ata u kthyen nga shëtitja i qëllova për vdekje me çifte". Kështu ka deklaruar dje para oficerëve të policisë, 29- vjeçari Leo Nika, i cili mëngjesin e së enjtes ekzekutoi afër derës së shtëpisë prindërit e tij, Junie e Ali Nika, përkatësis­ht 66 dhe 70 vjeç. Një ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Xhafzotaj të Durrësit, i riu ka pranuar autorësinë e krimit. Burime zyrtare pranë grupit hetimor bënë me dije se Leo Nika ka thënë se sherrin me nënën e babain e nisi për çështje parash. Mësohet se dëshmia është marrë pjesëpjesë nga ana e hetuesve, të cilët së bashku me mjekët e mbajnë nën mbikëqyrje të rreptë të mjekëve 29vjeçarin, pasi i druhen faktit se ai mund të lëndojë edhe veten e tij. Gjithashtu, Leo Nika mbahet non stop nën mbikëqyrje­n e kamerave.

DËSHMIA E VRASËSIT

Burime nga policia e qytetit bregdetar pohuan për "GSH" se disa orë pas krimit, Leo Nika ka ardhur në vete. Ai ka rrëfyer se gjatë gjithë natës së 28 qershorit ka qëndruar pa gjumë. "Gjithë natën nuk kam vënë gjumë në sy. Piva ilaçet, piva edhe shumë duhan. Natën më iku truri fare, doja të ikja në Itali, pasi vetëm atje më rri mendja. Në mëngjes, kur prindërit u kthyen nga shëtitja, mbaj mend se kemi debatuar. U kërkova para për të prerë biletën për në Itali, por ata më thanë që nuk kanë lekë se janë pensionist­ë. U mërzita shumë, pasi prindërit nuk më kanë përkrahur, nuk më kanë ndihmuar. Unë duhet të kujdesim për bashkëshor­ten dhe vajzën e vogël, prandaj i çoj nga vjehrri, sepse jam vetë pa punë", ka thënë 29vjeçari. Më pas Nika ka treguar se si vrau nënën dhe babain e tij. "Mbaj mend që qëllova një herë njërin e njëherë tjetrin. Nuk e di si e qysh, por unë e kisha kokën të turbullt dhe më ishin errur sytë. Nuk e di çfarë ka ndodhur me saktësi", është shprehur autori i krimit të dyfishtë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, i riu me origjinë nga Dibra është në gjendje shumë të rënduar psikologji­ke. Hetuesit e çështjes deklaruan se 29- vjeçari është disi kontradikt­or në dëshmitë e tij. Kjo për faktin se pas vrasjes, atij i janë gjetur një sasi e konsiderue­shme eurosh në portofol, ndërsa pretendon se nuk kishte para për të prerë biletën për në Itali. Leo Nika ishte kthyer nga Italia 24 orë para ngjarjes, ndërsa donte të ikte sërish atje. "Dëshmitë tregojnë se ai nuk është i qëndrueshë­m mendërisht. Në banesën e tij iu gjetën shumë antidepres­ivë dhe qetësues që merrte gjatë viteve të fundit. Paraprakis­ht, dyshojmë se shkak i gjendjes depresive të 29vjeçarit të ketë qenë varfëria e papunësia", deklaruan burime nga grupi hetimor.

 ??  ?? I akuzuari për vrasje, Leo Nika
I akuzuari për vrasje, Leo Nika
 ??  ?? Viktimat, Junie e Ali Nika
Viktimat, Junie e Ali Nika
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania