Policia mësyn në lokalet e natës, shoqërohen 16 balerina
DURRËS - Në kuadër të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale si dhe për rritjen e sigurisë së qytetarëve, policia e Durrësit ka ndërmarrë një aksion mesnatën e së enjtes, i cili ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Mësohet se gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 120 mjete, janë shoqëruar 25 shtetas për verifikim ( 16 prej tyre balerina) dhe janë kontrolluar 7 lokale me muzikë tallava. Ndërsa janë arrestuar në flagrancë tre persona, është ndaluar një shtetas i shpallur në kërkim si dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për një tjetër. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit pohuan se specialistët e sektorit të qarkullimit rrugor, në vijim të masave të mësipërme, respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor; drejtimin e mjetit jo në gjendje të dehur; pa leje drejtimi dhe vendosjen e rripit të sigurimit arrestuan në flagrancë shtetasit: Z. Hoxha, 21 vjeç, banues në Durrës dhe K. Mema 35 vjeç, banues në Kurbin. Sipas bluve, Hoxha, në orën 00: 15, në lagjen nr. 7 të Durrësit është kapur duke drejtuar mjetin tip "Renault Megane" pa leje drejtimi. Ndërsa, Mema, në aksin rrugor Fushë KrujëMamurras, duke drejtuar mjetin tip "Benz", pa leje drejtimi është përplasur me mjetin motorrçikletë tip "Lifan" pa targa me drejtues shtetasin G. S. 28 vjeç, banues në Manëz, Durrës. Mësohet se drejtuesi i motorçiketës ndodhet në Spitalin e Traumës, Tiranë nën kujdesin e mjekëve. Në ngarkim të shtetasit Klaid Mema u referuan materialet në prokurori për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe për drejtuesin e motorçikletës, shtetasin G. S. filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt". kl. ha.