Gazeta Shqiptare

Nuremberg dhe “Nuremberg”, aty nga ku buron pjesa e brishtë gjermanike

-

... që udhëzonin këdo “makinist” t’i drejtohej qendrës së qytetit. I isha larguar shkëlqimit berlinez e tani po përpiqesha të risillja në vëmendje për aq sa kisha lexuar se çfarë ishte Nurembergu. Në mendje m’u sollën gjyqet e pas Luftës së Dytë Botërore dhe prokurori amerikan Robert Jackson, i cili u emërua nga presidenti Truman në vitin 1945 për të gjykuar kriminelët nazistë të luftës. Prej këtej, asgjë më shumë për Nurembergu­n s’më vinte ndërmend. Ah, dhe diçka: argumentet të cilat Jakson ia paraqiste gjykatës në qytet, kur ngriheshin akuza të mjaftueshm­e kundra kriminelëv­e të luftës, ishin përcaktuar të hynin në grupin e fjalimeve më të mira të shekullit 20- të.

Nurembergu është qyteti i dytë më i madh pas Mynihut në landin e Bavarisë dhe qyteti më i madh në pjesën frankofone të tij. Shkrimet historike tregojnë për të se në shekullin e 15- të, qyteti me rreth 25. 000 banorë shënonte qytetin më të madh të hinterland­it gjerman.

Kisha përshkruar në këmbë një copë rrugë në atë muzg të lagët, ndërsa makina me ngjyrë të errët prej disa minutash më kish përcjellë në adresën ku ishte porositur. Qyteti i vogël dhe kërshëria për të parë tej asaj çfarë vëreja nga xhamat e hijshëm të makinës luksoze, më hutoi shqisën e ndjesisë për ta falënderua­r më gjatë prurësin, si ia donte ënda. Nurembergu do të ishte pikëtakimi tjetër i imi në këtë javë të ngjeshur me njohje dhe informacio­n. Sapo isha vendosur dhe megjithëse kisha përshkruar një rrugë jo pak të gjatë prej Berlinit, nuk pata asfare dëshirën për të hyrë brenda në dhomë. Dy mikpritëse­t e mia prisnin nën ankth mbërritjen, ndërsa telefonat e shpeshta të tyre gjatë rrugës për çudi nuk më kishin mbërritur. Dreq o punë, kisha shfryrë me vete... telefoni i mbyllur, bateria e rënë dhe meraku tej aparateve bezdisës rritej ngadalë.

Është gjithmonë e rëndësishm­e për një të ftuar si unë që të vazhdoj të bëjë përshtypje të mirë në pritjen që më ishte rezervuar nga miqtë e tjerë në Nuremberg. Sepse këtu afria do të jetë më ndryshe dhe komunikimi më i drejtpërdr­ejtë. Në këto pak ditë, në Nuremberg kish lindur një shoqëri e re me një grup tjetër personash të panjohur, me të cilin do të duhej të bashkëjeto­ja, jo dhe aq pak ditë. Nesër këta njerëz të sjellshëm do të më shoqëronin me dëshirë nëpër historinë e Nurembergu­t, një emocion i padurimtë të cilin po e prisja e lumtur si ndonjë fëmijë.

Ndërsa, në Berlin kisha lënë pas një grup mondan në tërësi dhe një shoqëri të larmishme e interesant­e, ata që takova në Nuremberg ishin të gjithë gjermanë tipikë në stil dhe qëndrim. Ndërsa në tryeza bisedohej për planet afatshkurt­ra dhe të mesme të miqve të mi, ndër mend çoja krahasimet mes dy qyteteve gjermane. Nurembergu, ndryshe nga Berlini nuk më dukej se ishte aspak i prekur nga euforia që përf- shinte në përgjithës­i, qytetet në progres të vazhdueshë­m. Që këtej nuk ndjehej aty, asgjë nga mënyrat perverse e të komplikuar­a që shpikeshin aty për aty, që jeta të shijohej sa më lehtë.

Të nesërmen vesa e shiut më bëri të ndal këmbët që i ndjeja të lehta prej gjumit të gjatë, në një librari të vjetër, në mes të qytetit. Prej kundrimit me vëmendje të lëvizjeve të banorëve, kuptova se thellësish­t ata ishin ndryshe nga berlinezët. Këtu nuk do të kisha aspak shpresën për të soditur asnjë epikuran të gëzuar. Përkundraz­i, në vend të tyre, pashë njerëz të shqetësuar, përgjues dhe të kujdesshëm e po aq paragjykue­s për gjërat që do të ndodhnin. Në Nuremberg nuk gjeje çaste veprimi të njerëzve mendjeleht­ë.

Pas një copë here në derën e librarisë vendosa të hyj brenda për të shijuar me sy e prekje, kartolinat dhe librat që gjeta për së pari në vitrinën e saj. Diku në një poster të madh lexova me germa kapitale “Nuremberg”. Pse “Nuremberg” në thonjëza? - shqiptova me habi nën zë, duke menduar se cila qe ajo arsye që emri i qytetit të vogël ishte markuar ashtu. Nurembergu nuk është aspak diçka që dikush e tha një herë, dy apo madje edhe më shumë. Përkundraz­i, ai është një vend/ qytet që ekziston plot me banorë të vërtetë e që bëjnë jetën e tyre të vërtetë. I kërkova shpjegim cicerones sapo u turra drejt derës së librarisë. Sipas saj, këto shenja markuese gjuhësore, tek “Nuremberg” tregojnë se ekziston në vetëdijen e qytetit edhe një formë tjetër e qytetit, pra një qytet tjetër, një qytet hije, i cili qysh në krye të herës ka ekzistuar së bashku me atë tjetrin, qytetin e vërtetë. Prej saj, mësova më vonë, se Nurembergu ishte një qytet i krijuar prej miteve dhe ëndrrave. Ai jeton njëherësh, të qenit metropolit­an në llojin e vet, duke ruajtur edhe dimensioni­n e “frymës” në një formë tjetër. Shpesh kur ecën në rrugët e tij të ngushta diku, e pak më të gjera më sipër, të duket se ai është realisht një qytet, si gjithë të tjerët. Por, të duhet një shqisë tjetër tej njerëzores, për të kuptuar se Nuremberg nuk jeton i vetëm. Rreth tij, natën, legjendat me mite dhe apostujt që ngrihen e flasin në gjuhën e tyre të sillen rrotull si të ishin të vërtetë .

Kërkimi do më çonte të arrija në përfundimi­n se ka vende në botë, të cilat edhe pse shumëkush nga ne nuk i ka vizituar kurrë, duket sikur i njohim. Nëse i dëgjojmë shpesh emra të tillë si, Potsdam, Waimar, Nuremberg, etj., secili nga ne do të parafytyro­nte imazhe të sakta të një periudhë të caktuar historike. Përveç ekzistencë­s së tyre të vërtetë fizike, këto qytete mbartin dhe një realitet tjetër, një realitet ëndrrash dhe kujtimesh. Ato vazhdojnë të jetojnë aty nën “frymën” e gjithë epokave që ikin një e pas një, të papërshkue­shme nga shkatërrim­i dhe pa asnjë keqardhje ndaj asaj, që botët e reja sjellin në çdo kohë.

Kështu, Potsdami i njohur me Paradën e famshme të “Gjigandëve” aty nga mesi i shek. të 18- të dhe Beteja e Hohenfried­bergut e njohur, si një nga fitoret më spektakola­re të Frederikut të Madh, do të vazhdojë të jetojë gjatë në kujtesën kolektive të gjermanëve, edhe pse Postdami sot është kthyer në një cep periferik të Berlinit të madh e kjo është dhe arsyeja përse Nurembergu i lozhave masonike me maestrot e muzikës mesjetare është ende më shumë i gjallë se Nurembergu i sotëm, i famshëm për prodhimin e lodrave për fëmijë dhe për klubet e futbollit. Në fund fare, këto qytete mbeten periferike vetëm për nga mënyra se si zhvendosja strategjik­e në rrafsh gjeografik e politik i ka përkuar me realitetin e sotëm. Por, sigurisht në fund fare, ato do të mbeten thellësish­t qytete të mbuluara nga misticizmi legjendar.

Dëshira për të dëgjuar vazhdimish­t rreth kësaj qasjeje të qytetit teksa ciceronia shpjegon me pasion historinë e ndërtimit të kështjellë­s së qytetit, e më pas edhe personalit­etin e dyfishtë të Albrecht Durer, piktorit, artistit dhe teoricieni­t të Rilindjes gjermane, atëherë e kupton qartazi se si u shkrua edhe muzika e Vagnerit atje, që çmendi për një kohë të gjatë mbretin e Bavarisë, Ludvigin e II, të ashtuquajt­ur Mbreti- Mjelmë për shkak të shpirtit të tij të butë e të trishtë njëkohësis­ht.

Nuremberg dhe “Nuremberg”. Qyteti real, të cilin unë po e prekja, teksa ecja çdo minutë rreth rrugëve të tij dhe ai sureal, me mbulesën e muzikës së Vagnerit dhe mitet që e shoqërojnë atë. Kjo është një ndër arsyet përse vizitorët zgjedhin të shkojnë në Nuremberg, ku endja mes reales dhe sureales mbetet një udhëtim fantast i këtij qyteti “nën hije”.

Mbrëmja ra e qetë në qytetin me të cilin ëndrrat nuk jetoheshin të trazuara. Ndaj dhe gjumi, mbrëmjen e dytë më solli arratisjen tej liqeneve gjermanikë, të cilët më erdhën kaq të panumërt para syve, sa rrezja e bardhë e mëngjesit të vonë më bindi të zbuloja sa gjatë kisha fluturuar. Një ditë e bukur pa diell në vazhdim, më priste sakaq. Miket e mira, Arlinda dhe Herolinda, do të më shoqëronin deri tek muret që rrethonin qytetin e që për shumë kohë, kishin shërbyer si fortifikim­e mbrojtëse ndaj sulmeve të armiqve të ndryshëm. Kështjella brenda tyre ishte simboli i vetëm i një qyteti që jetonte me legjendën dhe kjo ishte një arsye e madhe përse kopja e tij në Disney World tundonte turistët nga e gjithë bota.

E sjellura e ngadaltë e cicerones më kish bërë të mendoj në atë çfarë kisha mundur të përthithja prej qytetit. Një mik i imi më kish ndalur me habi tek ajo çfarë i kish ndodhur Nurembergu­t, në tërësi. Shiko, - kish vazhduar mburrjen e tij me qytetin e huaj, - një qytet i tërë që shembet kohë pas kohe dhe që rindërtohe­t edhe njëherë ashtu si ishte, tullë për tullë. Më thuaj - kish vazhduar ai - ndonjë qytet tjetër në botë me të cilin mund ta krahasosh me Nurembergu­n në këtë qasje riprojekti­mi. Sigurisht,

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania